
Dy alarme për karburantin e avionëve në Evropë
I pari vjen nga ACI Europe, një shoqatë që përfaqëson operatorët aeroportualë të BE-së. Sipas saj, “nëse tranziti përmes Ngushticës së Hormuzit nuk rikthehet në mënyrë të qëndrueshme brenda tre javëve të ardhshme, mungesa sistemike e karburantit për avionë do të bëhet realitet në BE”, thuhet në një letër të publikuar nga Financial Times.
Alarmi i dytë vjen nga drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, i cili në një intervistë për Der Spiegel paralajmëron: “Nëse situata nuk përmirësohet, nafta diesel dhe karburanti i avionëve mund të fillojnë të mungojnë së shpejti në Evropë”.
Operatorët aeroportualë
ACI Europe thekson se rezervat e karburantit për avionë po shterojnë, ndërsa “ndikimi i aktiviteteve ushtarake” po e vështirëson më tej furnizimin, sipas një letre drejtuar Komisionerit të BE-së për Transportin, Apostolos Tzitzikostas.
Në dokument, organizata paralajmëron për “shqetësime në rritje të sektorit aeroportual lidhur me disponueshmërinë e karburantit për avionë, si dhe nevojën për monitorim dhe ndërhyrje proaktive nga Bashkimi Evropian”.
Sipas tyre, situata mund të përkeqësohet edhe nga afrimi i sezonit të verës, kur trafiku ajror rritet ndjeshëm dhe mbështet sektorin turistik të shumë ekonomive të BE-së.
Disa vende aziatike, si Vietnami, kanë nisur tashmë racionimin e karburantit për avionë për shkak të mungesave, ndërsa në Evropë ende nuk janë regjistruar mungesa të gjera. Megjithatë, çmimet e karburantit janë dyfishuar dhe kompanitë ajrore paralajmërojnë për anulime të mundshme fluturimesh.
Alarmi i Birol
Edhe kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Birol, paralajmëron rrezikun e mungesës së naftës diesel dhe karburantit për avionë në Evropë në javët e ardhshme.
Sipas tij, para luftës në Iran, Evropa importonte një pjesë të madhe të këtyre karburanteve nga rafineritë e Lindjes së Mesme, por “shumë rezerva janë zbrazur javët e fundit”.
Pa një rikuperim të shpejtë të prodhimit global, situata në muajin maj mund të bëhet kritike për disa vende evropiane.
Për të përballuar rritjen e çmimeve dhe rrezikun e mungesave, Birol sugjeron masa si kufizimi i shpejtësisë në autostrada: “Gjermania duhet të konsiderojë vendosjen e kufizimit të shpejtësisë. Edhe një ulje me 10 km/orë mund të reduktojë konsumin e naftës deri në 6%”.
Ai ka propozuar gjithashtu transport publik më të lirë ose falas për të nxitur përdorimin e tij në vend të makinave private.
Birol paralajmëron se kriza energjetike e lidhur me luftën dhe situatën në Hormuz nuk është drejt përfundimit: “Të paktën 80 infrastruktura energjetike në Lindjen e Mesme janë dëmtuar”.
Sipas tij, edhe në rast armëpushimi, rikthimi në nivelet e mëparshme të prodhimit do të kërkojë kohë. Nëse armëpushimi dështon dhe Irani bllokon Ngushticën e Hormuzit, kriza energjetike mund të rikthehet menjëherë në nivele kritike