
Janë publikuar pamjet nga momenti kur një 26-vjeçar, ish-peshëngritës, nxjerr një 19-vjeçare pa ndjenja nga dhoma e një hoteli në Kefalonia, në një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.
Sipas regjistrimeve nga kamerat e sigurisë, i riu shihet duke e mbajtur vajzën pa ndjenja në krahë dhe duke dalë me nxitim nga ambientet e hotelit. Më pas, ai dyshohet se e ka braktisur në një zonë publike pranë, rreth orës 04:30 të mëngjesit. Pas këtij momenti, autoritetet dyshojnë se ai, në bashkëpunim me një tjetër person të arrestuar, ka tentuar të fshehë gjurmët e ngjarjes.
Sipas dëshmisë së partnerit 23-vjeçar të vajzës, të rinjtë kishin konsumuar kokainë dhe në një moment 19-vjeçarja ishte ndjerë keq. Ai ka deklaruar se 26-vjeçari e mori në krahë dhe e çoi në një park aty pranë, ku më pas u gjet nga shërbimet e emergjencës.
Personat e përfshirë kanë njoftuar ambulancën, por janë larguar sapo ajo ka mbërritur, duke pretenduar para ekipeve të shpëtimit se nuk e njihnin vajzën. Një tjetër person ka qëndruar në dhomë deri rreth orës 05:15 dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas të dhënave, dy të rinjtë dyshohet se kanë marrë edhe sendet personale të 19-vjeçares, përfshirë celularin, në përpjekje për të fshehur provat. Më vonë, njëri prej tyre është vetëdorëzuar në polici pas konsultimit me avokatin, duke dhënë versionin e tij për ngjarjen.
Vdekja e 19-vjeçares Myrto në Kefalonia dyshohet se ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak, sipas ekspertizës paraprake mjeko-ligjore. Megjithatë, shkaku i saktë mbetet ende i paqartë dhe pritet të përcaktohet nga analizat toksikologjike.
Ngjarja është në fokusin e autoriteteve greke, ndërsa mediat vendase kanë publikuar edhe një foto nga vendi ku e reja u gjet pa ndjenja në orët e para të së martës së Pashkëve. Bëhet fjalë për sheshin qendror të Argostolit, përballë hotelit ku ajo qëndronte me tre të rinj, të moshës 23, 26 dhe 22 vjeç.
Vendi ku e braktisën Myrton 19-vjeçare
Sipas të dhënave të policisë, 19-vjeçarja kishte shkuar në hotel rreth mesnatës së të hënës së Pashkëve së bashku me një 23-vjeçar. Rreth orës 02:00, ajo dyshohet se ka konsumuar kokainë, ndërsa më pas në dhomë ka mbërritur edhe një 26-vjeçar, i cili solli lëndën narkotike dhe e përdori bashkë me ta.
Pas një ore, 26-vjeçari është larguar dhe është rikthyer me një sasi tjetër, këtë herë i shoqëruar nga një 22-vjeçar shqiptar, i cili sipas burimeve policore nuk kishte konsumuar drogë.
Në një moment, 19-vjeçarja ka humbur ndjenjat. Sipas hetimeve, pas ngjarjes, 23-vjeçari është rikthyer në dhomë dhe ka pastruar ambientin ku dyshohet se ishte konsumuar kokaina, ndërsa gjithashtu ka fshehur celularin e saj.
Policia greke ka konfirmuar arrestimin e tre të rinjve, të cilët akuzohen për veprën penale “ekspozim ndaj rrezikut”. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë e secilit prej të përfshirëve